Modeli i ri i Zeekr sfidon tregun global të SUV-ve luksoze
M

Modeli i ri i Zeekr sfidon tregun global të SUV-ve luksoze

Prodhuesi kinez i automjeteve elektrike Zeekr, pjesë e grupit Geely, ka prezantuar zyrtarisht modelin e tij të parë hibrid plug-in dhe shifrat janë mbresëlënëse.

Modeli Zeekr 9X, një SUV luksoz në madhësi të plotë, vjen me baterinë më të madhe të instaluar ndonjëherë në një PHEV: 70 kWh, të kombinuar me një sistem hibrid që prodhon plot 1,381 kuaj fuqi.

Me një peshë mbi tre tonë, përshpejtim sa një supermakinë dhe teknologji të avancuar asistimi për shoferin, 9X synon të jetë flamurtari i performancës dhe luksit, shkruan AutoBlog, transmeton AutoPortali.

Nga Zeekr 001 te 9X

Zeekr ka shënuar rritje të shpejtë që nga debutimi në vitin 2021 me modelin elektrik afatgjatë Zeekr 001. Vetëm katër vite më pas, 9X zgjeron gamën e markës në segmentin e hibrideve me performancë të lartë. SUV-i është ndërtuar mbi platformën e re SEA-S të Geely, me ngurtësi torsionale prej 41,600 Nm/gradë, pezullim ajri deri në 28 cm hapësirë nga toka dhe sistem aktiv anti-rrotullim 48V.

Performancë, autonomi dhe teknologji

Nën kapak gjendet një motor benzinë 2.0 turbo me katër cilindra (275 KF) i kombinuar me tre motorë elektrikë me teknologji karbidi silikoni. Fuqia totale prej 1,381 KF i siguron përshpejtim 0–100 km/h për vetëm 3.1 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale kufizohet në 240 km/h.

Bateria CATL Freevoy prej 70 kWh ofron autonomi prej 302 km sipas ciklit kinez CLTC, me mundësi karikimi ultra të shpejtë 900V që mbush nga 20–80% në rreth nëntë minuta. Do të ofrohet edhe versioni me bateri më të vogël, 55.1 kWh.

Kabina prezanton platformën elektronike ZEEA 3.0 dhe sistemin e asistimit të avancuar G-Pilot H9, me pesë njësi LiDAR, radar me valë milimetrike, 13 kamera dhe dy procesorë Nvidia Thor-U me fuqi llogaritëse totale prej 1,400 TOPS. Pajisjet mundësojnë funksione drejtimi autonom të nivelit 3, përfshirë ndryshime automatike korsish, manovra shmangëse dhe parkim të avancuar.

Pozicionimi në treg dhe planet globale

Zeekr e sjell 9X në një treg shumë konkurrues të SUV-ve premium në Kinë, ku segmenti i PHEV-ve po rritet, por përballet me luftën e çmimeve mes prodhuesve të makinave elektrike. Për shkak të tarifave dhe barrierave tregtare, nuk pritet që 9X të shitet në SHBA, por kompania do të fokusohet te kërkesa vendase dhe tregjet ku Geely ka prezencë.

Çmimi dhe lançimi

Porositë paraprake hapen në panairin Chengdu Auto Show në gusht, me dorëzimet që pritet të fillojnë në tremujorin e tretë të vitit 2025. Çmimi fillestar llogaritet rreth 600,000 juanë (afërsisht 83,500 USD).

Me kombinimin e baterisë rekord, karikimit ultra të shpejtë, performancës ekstreme dhe luksit të avancuar, Zeekr 9X synon të rivalizojë më të mirët në tregun global të SUV-ve premium. /AutoPortali

TË FUNDIT