Gara për çmimin prestigjioz europian “Këpuca e Artë” po bëhet gjithnjë e më e fortë, teksa dy nga sulmuesit më të mirë në botë, Harry Kane dhe Kylian Mbappé, vazhdojnë të ndajnë vendin e parë në renditje.
Sulmuesi anglez i Bayern Munich dhe ylli francez i Real Madridit kanë grumbulluar nga 44 pikë secili, falë 22 golave të realizuar në kampionatet respektive, përcjell albinfo.ch.
Pas tyre renditet sulmuesi norvegjez i Manchester Cityt, Erling Haaland, i cili aktualisht ka 40 pikë dhe mbetet një pretendent serioz në garën për kreun dhe podiumin e renditjes.
Ndërkohë, vëmendje të veçantë po tërheq edhe sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, i cili po kalon një sezon shumë të mirë me Mallorcan.
Muriqi renditet në mesin e pesë golashënuesve më të mirë në Evropë, me gjithsej 30 pikë.
Në listën e përditësuar, paraqitje të mirë po vazhdon të ketë edhe kapiteni i Interit, Lautaro Martinez.
Sulmuesi argjentinas ka arritur në kuotën e 13 golave dhe 26 pikëve, duke u renditur aktualisht në pozitën e 13-të, ndërsa mban ende gjallë shpresat për t’u afruar me kreun e renditjes.
Çmimi “Këpuca e Artë” ndahet mbi bazën e numrit të golave të shënuar gjatë sezonit, të shumëzuar me koeficientin e kampionatit përkatës sipas renditjes së UEFA-s.
Golat e realizuar në pesë ligat më të forta europiane Angli, Itali, Spanjë, Gjermani dhe Francë, vlejnë nga 2 pikë, ndërsa golat në kampionatet e renditura nga vendi i gjashtë deri në të njëzetedytin vlejnë 1.5 pikë, nërsa në ligat e tjera, çdo gol vlerësohet me 1 pikë.
Top-5 aktuale e renditjes për “Këpucën e Artë” europiane:
Harry Kane (Bayern Munich) – 44 pikë
Kylian Mbappé (Real Madrid) – 44 pikë
Erling Haaland (Manchester City) – 40 pikë
Igor Thiago (Brentford) – 32 pikë
Vedat Muriqi (Mallorca) – 30 pikë



