Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, pati një fundjavë fantastike në nivel personal në kampionatin spanjoll.
Futbollisti prizrenas realizoi dy gola për RCD Mallorca në barazimin 2:2 ndaj CA Osasuna, në kuadër të javës së 27-të të La Liga.
Megjithatë Mallorca nuk arriti të ruajë epërsinë e dyfishtë deri në.
Faqja e specializuar e statistikave Sofascore e përfshiu 32-vjeçarin në ekipin ideal të javës në La Liga, duke e vlerësuar me notën e lartë 8.6, përkrah sulmuesve Ante Budimir dhe Florian Boyé.

Me dy golat e fundit, Muriqi ka arritur në kuotën e 18 golave këtë sezon në La Liga, që është rekordi personal i tij në këtë kampionat.
Ai aktualisht renditet i dyti në listën e golashënuesve, pesë gola pas liderit Kylian Mbappé, në garën për çmimin prestigjioz Pichichi Trophy.
Sulmuesi kosovar ka hyrë gjithashtu në historinë e Mallorcas, pasi ka thyer rekordin e legjendës kamerunase Samuel Eto’o për numrin më të madh të golave të shënuar brenda një sezoni në La Liga me këtë klub, Eto’o kishte realizuar 17 gola, ndërsa Muriqi tashmë ka 18.
Në total, Pirati ka arritur në 52 gola me fanellën e Mallorcas dhe ndodhet vetëm dy gola larg rekordit të përgjithshëm të Eto’o-s prej 54 golash me klubin spanjoll, një shifër që mund ta thyejë qysh këtë sezon nëse vazhdon me këtë formë të jashtëzakonshme. /AutoPortali



