Ford ka vendosur të mos e shndërrojë Mustang-un në një makinë elektrike, të paktën për dekadën e ardhshme.
Sipas një raporti të ri të Automotive News, kompania do të vazhdojë prodhimin e Mustang-ut me motor me djegie të brendshme deri në vitet 2030. Fillimisht, ishte marrë në konsideratë një version plotësisht elektrik për gjeneratën e ardhshme, por planet janë braktisur.
Shefi ekzekutiv i Ford, Jim Farley, ka qenë i prerë në këtë pikë. Në maj të vitit 2024 ai deklaroi: “Një gjë mund ta premtoj: ne kurrë nuk do të prodhojmë një Mustang tërësisht elektrik.”, shkruan Motor1.
Ky qëndrim shihet si një zgjedhje e guximshme, sidomos pas përpjekjeve të Dodge për të elektrifikuar Charger-in.
Mustangu është i lidhur ngushtë me motorin V8, dhe kjo duket se nuk do të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Farley ka theksuar se synon ta mbajë gjallë V8-ën “për aq kohë sa ta lejojnë Zoti dhe politikanët”.
Megjithatë, Ford po teston versione hibride dhe motorë me pjesë elektrifikimi, të cilët sipas Farley-t funksionojnë mirë për drejtuesit që kërkojnë performancë.
Edhe pse nuk pritet një Mustang hibrid në këtë gjeneratë e cila debutoi në vitin 2024 mundësia mbetet e hapur për të ardhmen, sidomos kur të vijë radha e gjeneratës së tetë në fillim të viteve 2030.
Një sistem hibrid do të mund të shtonte fuqi dhe efikasitet, duke i kaluar lehtësisht 600 kuaj fuqi versionit aktual me motor 5.0-litërsh V8 që prodhon 500 kuaj fuqi.
Ndërkohë, motori 5.2-litërsh Predator V8 që arrin 815 kuaj fuqi në versionin GTD, i kombinuar me energji elektrike, mund ta afrojë Mustang-un deri pranë shifrës 1,000 kuaj fuqi direkt nga fabrika.
Për momentin, Ford mban të paprekur ADN-në e Mustang-ut si simbol i “muskujve” amerikanë, ndërsa opsioni i elektrifikimit mbetet një mundësi për dekadën e ardhshme. /AutoPortali