Jaguar Land Rover (JLR), prodhuesi më i madh britanik i veturave, ka zgjatur deri më 1 tetor ndërprerjen e prodhimit pas një sulmi kibernetik që paralizoi sistemet e tij më 31 gusht.
Kompania pësoi humbje të mëdha, ndërsa kriza ka vënë në rrezik mijëra vende pune në zinxhirin furnizues, raporton Telegrafi.
Rreth 33 mijë persona punojnë drejtpërdrejt për JLR në Britani, ndërsa mbi 200 mijë të tjerë varen nga furnizimi i fabrikave në Solihull dhe Halewood, përcjell AutoPortali.
Fabrikat në Kinë, Sllovaki, Indi e Brazil po ashtu kanë ndalur punën, duke thelluar pasojat globale.
Sindikatat kërkojnë ndërhyrje të qeverisë për të mbrojtur punëtorët dhe kompanitë më të vogla të prekur nga pezullimi.
JLR ka thënë se po punon me ekspertë të sigurisë kibernetike dhe autoritetet për të rifilluar prodhimin në mënyrë të sigurt.