Çmimi i Madh i Italisë në Kampionatin Botëror të Rally-t (WRC) do të zhvendoset nga Sardenja në Romë duke filluar nga viti 2027. Sardenja do të vazhdojë të jetë mikpritëse për edicionin e fundit të WRC vitin që vjen (1-4 tetor 2026), para se të kalojë në kalendarin e Kampionatit Evropian të Rally-t (ERC) nga 2027.
Ky ndryshim vjen pas një marrëveshjeje pesëvjeçare të nënshkruar midis Promotorit të WRC dhe Automobil Club d’Italia (ACI).
Nga 2027 deri në të paktën 2030, rally italian do të zhvillohet në asfaltin rreth Romës dhe rajonit të Lazios, duke zëvendësuar rrugët me zhavorr të Sardenjës. Roma ka qenë pjesë e kalendarit të ERC që nga viti 2017 me eventin Rally di Roma Capitale, që përfshin edhe një etapë pranë Koloseut të famshëm.
Sipas WRC, edicioni i ri i Rally d’Italia do të ofrojë skena historike dhe një profil ndërkombëtar falë Romës, duke rritur dukshmërinë globale të garës.

Simon Larkin, drejtori i eventeve në WRC Promoter, u shpreh: “Ky vendim është më i miri për të ardhmen e rally-t elitar në Itali. Kalimi në 2027 do të na japë kohën e duhur për ta përgatitur siç duhet garën në Romë”.
Gjenerali Tullio Del Sette nga ACI shtoi: “Kjo marrëveshje është një hap thelbësor për rally-n italian. Falënderojmë Sardenjën për mbështetjen e viteve të kaluara dhe mirëpresim rajonin e Lazios si partner për eventin në kryeqytet”.




