Rënia e Oscar Piastrit vazhdon të jetë një prej çështjeve më të diskutuara për tifozët si dhe për specialistët e Formulës 1. Nga dalja pas Çmimit të Madh të Holandës me 34 pikë avantazh, ai përfundoi duke humbur titullin botëror me 13 pikë diferencë ndaj Lando Norrisit, pavarësisht reagimit të tij në Katar dhe Abu Dabi. Por atëherë ishte shumë vonë për pilotin e McLarenit.
Një çështje që madje ka mbërritur deri në parlamentin australian, por sipas McLarenit, vetëm një shpjegim teknik, pasi skuadra u ka ofruar të dy pilotëve të njëjtat burime dhe të njëjtat rregullime gjatë gjithë sezonit. Kur Red Bull reagoi në Monza me një dysheme të re dhe Max Versttapeni nisi rikthimin e tij, Piastri madje ishte përpara Norrisit, megjithëse iu kërkua t’ia kthente vendin e dytë shokut të skuadrës, duke u mbështetur në “drejtësinë” e rregullave të brendshme “papaya”.
Por nga Baku nisi katastrofa: një zero e dyfishtë, si në Sprint ashtu edhe në garë (dy aksidente në mur), ku u pa qartë se ai nuk ishte në gjendje të përballonte një hapësirë funksionimi shumë më të ngushtë të makinës “MCL39”, të cilën vetëm Norris arrinte ta shfrytëzonte maksimalisht për ta mbajtur njëvendëshen konkurruese edhe pse pa fitore. McLareni nuk kishte më avantazhin e qartë dhe Oscari nisi të fundosej, sidomos në sesionet kualifikuese. Ka pilotë, si Romain Grosjean, që ende nuk e kuptojnë çfarë i ndodhi.
“Oscar Piastri është ai që nuk e kuptoj këtë vit. Ishte jashtëzakonisht i fortë para pushimeve verore dhe më pas, pas Monzës, për katër ose pesë gara, dukej sikur në timon ishte kushëriri i tij”, ka deklaruar për “Bein Sports” ish-piloti i Haas dhe Renault. “Në Katar pamë sërish Piastrin e vërtetë: njeriun më të shpejtë në pistë dhe në ‘pole position’. Nuk e fitoi garën (për shkak të një gabimi strategjik të McLarenit me të dy pilotët), por kjo nuk kishte rëndësi atë fundjavë. Oscari ishte rikthyer. Në Abu Dabi më dukej solid, por deri atëherë kishte humbur shumë terren”, komenton piloti francez.

“Kur ke 34 pikë avantazh dhe përfundon me 13 pikë disavantazh, nuk është ajo që pret. Por ai do të mësojë nga kjo. Është ende shumë i ri dhe ka vetëm pak vite në Formula 1. Ka treguar shumë gjëra pozitive dhe ende ka shumë për të dhënë”, shton Grosjean, i cili pesë vite më parë i mbijetoi një prej aksidenteve më të frikshme në Formula 1, me makinën e tij Haas që shpërtheu në flakë gjatë garë në Bahrejn.

“Piastri ka treguar se në disa momente, për katër ose pesë gara, nuk ishte në nivelin që dëshironte. Por nëse përsërit atë që di të bëjë mirë dhe zgjidh problemet, do të jetë kampion bote”, përfundon Grosjean, duke mos i dhënë asnjë peshë teorive të komplotit që janë përhapur në “paddock”.



