Nga Venecia në Paris, Evropa në krizë për shkak të mbingarkesës turistike
N

Nga Venecia në Paris, Evropa në krizë për shkak të mbingarkesës turistike

Parisi është përballë një krize të mbipopullimit turistik, dhe zemra e saj artistike, Montmartre, është kthyer në simbol të kësaj përplasjeje. Një nga lagjet më të vizituara të qytetit po humb fytyrën e tij tradicionale, teksa banorët thonë se jeta e përditshme është bërë e padurueshme mes turmave, selfie-ve, tuk-tukëve dhe dyqaneve të suvenireve.

Olivier Baroin, që u shpërngul në Montmartre 15 vite më parë, ka vendosur ta shesë apartamentin.

“Si person me aftësi të kufizuara, jeta është bërë e pamundur. Nuk mund të përdor më makinën, duhet të thërras taksi nga mëngjesi deri në darkë,” tha ai për Associated Press.

Ai është një nga banorët që tashmë i janë bashkuar lëvizjes “Vivre à Montmartre”, e cila kundërshton politikat e bashkisë për këto ndryshime.

Banorët denoncojnë “Disneyfikimin” e zonës, ku dikur mbretëronte atmosfera boheme. Bazilika e Sacré-Cœur, monumenti më i vizituar në Francë vitin 2024 me rreth 11 milionë vizitorë më shumë se Kulla Eiffel ka shndërruar lagjen përreth në një park tematik në ajër të hapur.

Dyqanet ushqimore, furrat dhe kasapët janë zhdukur, duke ia lënë vendin shitësve të akullores, çajit me flluska dhe suvenireve.

Fenomeni nuk është vetëm parisien. Në Barcelonë, mijëra njerëz kanë dalë në rrugë duke kërkuar kufizime për anijet e kroçerës dhe qiratë afatshkurtra.

Venecia tashmë aplikon tarifë hyrjeje për vizitorët ditorë, ndërsa në Athinë është vendosur limit ditor për numrin e turistëve që mund të ngjiten në Akropol. Urbanistët paralajmërojnë rrezikun e “qyteteve zombie” vende historike të bukura, por pa banorë vendas.

Edhe vetë Parisi, që vitin e kaluar priti rreth 48.7 milion turistë, po përpiqet të kufizojë qiratë afatshkurtra dhe pronat e paregjistruara, por presioni vetëm sa po rritet.

Në të ardhmen, thonë ekspertët, me rritjen e popullsisë botërore në gati 10 miliardë deri në vitin 2050 dhe me fluturimet e lira që po rrisin flukset, ikonat urbane si Parisi do të përballen me një dilemë të madhe: a ka më hapësirë për banorët që ende e quajnë “shtëpi”? /AutoPortali

TË FUNDIT