Ngadalë në rrugë, shpejt në gjobë – Zvicra propozon masa të reja
N

Ngadalë në rrugë, shpejt në gjobë – Zvicra propozon masa të reja

Një iniciativë e re nga Walter Gartmann, anëtar i Këshillit Kombëtar të SVP-së, ka shkaktuar debat të gjerë në Zvicër. Ai ka propozuar që shoferët që ngasin jashtëzakonisht ngadalë të ndëshkohen me gjoba, njësoj si ata që tejkalojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë, transmeton AutoPortali.

Sipas Gartmann, shoferët që lëvizin “me ritmin e një kërmilli”, shpesh me 40 deri në 60 km/h në autostrada dhe rrugë kombëtare, po pengojnë rrjedhën normale të trafikut dhe po shkaktojnë bllokime të panevojshme. Ai argumenton se ndërmarrja e masave ndaj këtyre shoferëve do të ndihmonte në lehtësimin e trafikut.

Nëse dikush ngas dhjetë kilometra në orë nën kufirin e shpejtësisë, edhe pas paralajmërimeve, duhet të gjobitet,” është shprehur ai për 20 Minuten. Gartmann ka sugjeruar përdorimin e sistemeve paralajmëruese përmes radios ose CarPlay-it, për t’i njoftuar shoferët që të përshpejtojnë. Ai ka përmendur edhe shembullin e tuneleve në Zvicër, ku shoferëve u kërkohet të përshtatin shpejtësinë për të shmangur pengesat në trafik.

Për ta vënë në zbatim këtë ide, ai ka propozuar instalimin e “kamerave të shpejtësisë minimale” në rrugët më të ngarkuara, si autostrada A1 apo segmenti Cyrih–St. Gallen.

Megjithatë, propozimi nuk është pritur mirë nga të gjithë. Martin Candinas, këshilltar kombëtar nga qendra e djathtë dhe njohës i çështjeve të transportit, e ka cilësuar këtë ide si “të qëllimshme, por të papërshtatshme”. Ai ka theksuar se tashmë ekzistojnë dispozita ligjore që parashikojnë gjobitjen e shoferëve që lëvizin shumë ngadalë pa arsye të vlefshme dhe pengojnë qarkullimin, shkruan 20 Minuten.

“Nuk e kuptoj pse kjo çështje po trajtohet tani si një problem i madh, kur kemi rregulla ekzistuese që mund të zbatohen,” ka shtuar Candinas, duke nënvizuar se legjislacioni aktual është i mjaftueshëm dhe tashmë është në fuqi./AutoPortali/

TË FUNDIT