Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ka nisur pastrimi i rrëshqitjeve të dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, gjegjësisht në segmentin Suharekë–Prizren.
Kjo vjen pasi kjo ministri thotë se ka hartuar projektin për sanimin e skarpateve dhe kontrata është dhënë më 10 prill 2026.
Por, ministria në fjalë, fajin për vonesat në intervenim ia ka hedhur Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
“Për shkak të ankesave, ky projekt po mbahet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), përtej çdo afati të arsyeshëm. Sikur OShP-ja të ishte më efikase dhe të mos kishte zvarritje të panevojshme, sot projekti i sanimit do të ishte duke u realizuar, ndërsa qytetarët nuk do të përballeshin me dhe e rrëshqitje në rrugë”, u tha në njoftimin e MIT-së.
Ministria tha se autoudha po pastrohet nga rrëshqitjet e dheut, teksa ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar “për këto vonesa të shkaktuara, pa fajin tonë”. /Klankosova.tv



