Nissan ul ndjeshëm çmimet për modelin Ariya
N

Nissan ul ndjeshëm çmimet për modelin Ariya

Nissan po e bën edhe më të lehtë kalimin drejt makinave elektrike këtë muaj me oferta shumë konkurruese për modelin Ariya. Me dizajn modern, teknologji të avancuar dhe një çmim më të përballueshëm se rivalët kryesorë, Nissan Ariya është pozicionuar si alternativë serioze ndaj Tesla Model Y dhe Hyundai Ioniq 5.

Gjatë gushtit, Nissan ofron mundësinë për të marrë me qira një Ariya të vitit 2025 me një pagesë mujore që nis nga vetëm 179 dollarë.

Autoblog shkruan, kjo ofertë përfshin një kufi vjetor prej 10,000 miljesh dhe kërkon një parapagim prej 4,999 dollarësh në momentin e nënshkrimit të kontratës, për një periudhë 36-mujore, transmeton AutoPortali.

Ofertat për qytetet kryesore amerikane

Në Los Angeles, Ariya mund të merret me qira për 179 dollarë në muaj, ndërsa në New York City, modeli me traksion përpara (Engage FWD) ofrohet për 209 dollarë në muaj me një parapagim prej 5,759 dollarësh. Ndërkohë në Çikago, Detroit dhe Miami, qiraja mujore është 329 dollarë me parapagim prej 4,909 dollarësh.

Për ata që preferojnë të shmangin parapagimin, ekziston opsioni i shpërndarjes së shumës në 36 këste mujore. Në këtë rast, pagesa mujore në këto qytete arrin rreth 465 dollarë. Të gjitha ofertat përfshijnë bonusin shtesë prej 1,000 dollarësh për klientët besnikë dhe janë të vlefshme deri më 2 shtator.

Çfarë ofron Nissan Ariya?

Me një çmim fillestar prej 39,770 dollarësh, Ariya është ndër crossover-ët elektrikë më të përballueshëm në treg. Modeli Engage FWD përfshin elementë të tillë si:

  • Shtresa luksoze të brendshme
  • Ndërlidhje pa tela me telefonin
  • Ngrohje në sedilje dhe në timon
  • Dy ekrane 12.3 inç për informacion dhe multimedia
  • Karikim wireless dhe katër porta USB

Dizajni i jashtëm dallon për linja të pastra, rrota 19 inç dhe spoilera sportive. Dritat LED dhe pasqyrat anësore me ngrohje vijnë si standard, ndërsa pompa e nxehtësisë përmirëson performancën në klimë të ftohtë.

Nën kapak, Ariya mbart një bateri 63 kWh, që karikohet nga 10% në 80% për vetëm 35 minuta në stacione DC. Motori i modelit me traksion përpara prodhon 214 kuaj fuqi dhe 221 lb-ft çift rrotullues, me autonomi deri në 216 milje me një karikim të vetëm.

Edhe pse nuk ofron performancën më të lartë në klasë, Ariya mbetet një zgjedhje e zgjuar për familjarët që kërkojnë një makinë elektrike funksionale, komode dhe me çmim të arsyeshëm. Për ata që janë të interesuar, është momenti për të vepruar ofertat përfundojnë më 2 shtator.

Shënim: Ofertat e përmendura mund të ndryshojnë në varësi të vendndodhjes dhe konfigurimit të automjetit. Çmimet nuk përfshijnë taksat, regjistrimin apo tarifa të tjera. Për informacion të saktë, vizitoni faqen zyrtare të Nissan dhe kontrolloni ofertat sipas kodit tuaj postar. /AutoPortali

TË FUNDIT