Një kamerë shpejtësie në Norvegji ka kapur të njëjtën makinë duke ecur me shpejtësi 61 herë në katër muaj. Mësohet se drejtuesi i mjetit ishte shtetas rumun, me banim në Norvegji që prej vjeshtës së kaluar. Rumuni u përpoq të justifikohej duke përmendur stilin e tij të drejtimit rumun.
Kamera e radarit ndodhet në tunelin Floyfjell në rajonin e Bergenit. Rreth 61 shkelje të shpejtësisë sollën një gjobë të madhe prej 38,250 euro! Shpejtësia më e lartë e regjistruar nga kamera e radarit gjatë këtij intervali ishte 136 km/h. Pas kaq shumë gjobave të grumbulluara, policia identifikoi shoferin dhe e solli para drejtësisë. Shoferi rumun i pranoi veprimet e tij, por deklaroi para gazetarëve dhe përmes avokatit të tij gjatë gjyqit se fajin e kishte stili rumun i drejtimit.
– Ne vozisim ndryshe në Rumani. Kufijtë e shpejtësisë janë gjithashtu të ndryshëm se në Norvegji. Nuk është domosdoshmërisht një qëllim i keq të shtypësh shumë përshpejtuesin, por një zakon. Megjithatë, nuk kam dyshim se radari e ka matur saktë shpejtësinë – tha ai.
Nuk funksionoi realisht, sepse gjykata e dënoi me 30 ditë burg, pa mundësi pezullimi apo lirimi me kusht. Dënimi me burg do të zëvendësojë gjobat, përkatësisht 38250 euro. Shoferit rumun iu ndalua gjithashtu ngarje në rrugë publike për 17 muaj. Ndaj edhe pasi të dalë nga burgu nuk do të jetë në gjendje të drejtojë makinën për një kohë të gjatë.




