Norris kampion bote, Verstappen fitore e hidhur në Abu Dabi
N

Norris kampion bote, Verstappen fitore e hidhur në Abu Dabi

Lando Norris është shpallur kampion bote në Formula 1 për vitin 2025. Vendi i tretë arritur në garën e fundit sezonale, atë të zhvilluar në Abu Dabi, i mjaftoi pilotit britanik të McLaren për t’u shpallur kampion bote për herë të parë në karrierën e tij.

Gara u fitua nga holandezi i Red Bull, Max Verstappen, por kjo s’mjaftoi për të korrur titullin e pestë. Verstappen qëndroi dy pikë pas Norris në renditjen e përgjithshme, duke u detyruar të dorëzojë kurorën e kampionit, që rikthehet te një pilot britanik.

Në vendin e dytë u rendit australiani Oscar Piastri, që edhe pse shpresoi deri në fund për ndonjë surprizë në garë, nuk ia doli dot mbanë. Një garë që nisi me 20 pilotë dhe u mbyll po me aq pilotë, ku pati pak surpriza, asnjë flamur të verdhë apo makinë sigurie.

Verstappen e nisi garën nga vendi i parë dhe e ruajti në fundin e saj, ndërkohë që për disa xhiro në krye ishte edhe Piastri. Ai parakaloi Norris në xhiron e parë, por vetëm kaq nuk mjaftoi. Britaniku menaxhoi vendin e tretë me sukses, i mjaftueshëm për titullin.

Rreziku i vetëm për Norris ishte Charles Leclerc, në fillim e në fund të garës, duke iu afruar në 3-4 sekonda. Gjithsesi, piloti monegask i Ferrari nuk shkoi më shumë se vendi i katërt.

Lando Norris wins maiden F1 world championship title at Abu Dhabi GP |  Motorsports News | Al Jazeera

Në vendin e pestë u rendit britaniku George Russell me Mercedes. Në zonën e pikëve u renditën edhe Fernando Alonso (vendi 6), Lewis Hamilton (vendi 7), Esteban Ocon (vendi 8), Oliver Bearman (vendi 9) dhe Gabriel Bortoleto (vendi 10).

Hamilton bëri një garë të mirë, pasi u nis nga vendi i 16-të dhe fitoi 9 pozicione.

TË FUNDIT