Norris zbulon sekretin e formës së tij të mirë
N

Norris zbulon sekretin e formës së tij të mirë

Piloti i McLarenit, Lando Norris, fitoi garën e Çmimit të Madh të Brazilit në kuadër të kampionatit të Formula 1 dhe më pas foli për mediat.

“Gara ishte e çmendur! Është kënaqësi të fitosh këtu në Brazil. Është një pistë e mrekullueshme, me tifozë të jashtëzakonshëm”, tha Norris.

Më pas ai bëri një aludim për ish-anëtarin e McLarenit me origjinë braziliane, Gil de Ferran, i cili shpesh përmendej si një pjesë kyçe në rikthimin e McLarenit dhe që ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2023.

“Kjo ishte për njërin nga mentorët e mi, Gilin. Një fundjavë e përsosur”.

Duke zbuluar sekretin e formës së tij fituese, Norris iu përgjigj ashpër kritikëve të tij: “Thjesht mos i dëgjoni ata që flasin marrëzira për ju! Përqendrohuni vetëm te vetja. Ekipi po bën një punë të jashtëzakonshme, më dha një makinë të shkëlqyer. Punojmë shumë çdo fundjavë dhe unë jap maksimumin edhe jashtë pistës. Të jem i sinqertë, nuk mendoj se sot ishim më të shpejtët, por jam i lumtur që fituam”, përfundoi Norris.

Tani ai kryeson kampionatin me 24 pikë më shumë se shoku i tij i skuadrës, Oscar Piastri, dhe 49 më shumë se piloti i Red Bullit, Max Verstappen.

TË FUNDIT