Barcelona ka vendosur të mos lejojë asnjë largim tjetër lojtarësh deri në përfundim të sezonit, duke mbyllur praktikisht merkaton e janarit sa i përket shitjeve.
Ky vendim vjen në një moment kyç të sezonit, ku skuadra përballet me një kalendar të ngjeshur ndeshjesh.
Sipas raportimit të gazetës Marca, drejtuesit e klubit janë të shqetësuar për ruajtjen e balancës dhe thellësisë së ekipit, duke mos dashur të dobësojnë grupin në mes të garave.
Për këtë arsye, Barcelona nuk pritet të jetë aktive as në afrime gjatë janarit.
Edhe pse ishte diskutuar mundësia e gjetjes së një zëvendësuesi për Andreas Christensen, bordi drejtues nuk sheh alternativa të përshtatshme në treg në këtë fazë.
Klubi planifikon që përforcimet në mbrojtje t’i shtyjë për afatin kalimtar të verës, duke vazhduar të mbështetet te rëndësia e Ronald Araujos në ekip.
Në lidhje me largimet e mundshme, emri i Marc-André ter Stegen ishte përfolur, por portieri gjerman ka shprehur dëshirën për të qëndruar në klub deri në fund të sezonit, pavarësisht ndikimit që kjo mund të ketë në përgatitjet për Kupën e Botës 2026.
Gjithashtu, spekulimet për një largim të Robert Lewandowskit, Ronald Araujos, Marc Casados dhe Marc Bernalit janë mohuar.
Paraqitjet e mira të Casados, veçanërisht në rolin e mbrojtësit të djathtë, kanë forcuar edhe më shumë vendimin e klubit për të ruajtur stabilitetin e skuadrës. /AutoPortali



