Ohri sjell në dritë një nga vendbanimet më të hershme në kontinent
O

Ohri sjell në dritë një nga vendbanimet më të hershme në kontinent

Një ekip arkeologësh nga Zvicra dhe Shqipëria besojnë se kanë zbuluar vendbanimin më të hershëm njerëzor të ndërtuar mbi një liqen në Evropë. Sipas të dhënave të para, një komunitet i organizuar gjuetarësh dhe fermerësh ka jetuar në brigjet e liqenit të Ohrit, në fshatin Lin të Pogradecit, rreth 8,000 vjet më parë.

Reuters shkruan, se arkeologët kalojnë orë të tëra çdo ditë rreth tre metra nën ujë, duke nxjerrë me kujdes shtylla druri që dikur mbështesnin shtëpitë mbi liqen. Nga i njëjti vend janë gjetur edhe eshtra kafshësh të egra dhe të zbutura, objekte bakri dhe enë qeramike me gdhendje të detajuara.

Sipas profesor Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, vendbanime të ngjashme janë zbuluar në rajonet alpine dhe mesdhetare, por ato të Linit rezultojnë të jenë të paktën 500 vjet më të vjetra të datuara ndërmjet 6,000 dhe 8,000 vjetëve më parë, transmeton AutoPortali.

“Pasi ndodhet nën ujë, materiali organik është ruajtur në mënyrë të shkëlqyer. Kjo na lejon të zbulojmë çfarë hanin, çfarë kultivonin dhe si jetonin ata,” tha Hafner.

Objekte në fund të liqenit të Ohrit shihen në fshatin Lin, Shqipëri, më 11 korrik 2025.

Liqeni i Ohrit, i ndarë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, konsiderohet nga studime të shumta si liqeni më i vjetër në Evropë, me një moshë mbi një milion vjeçare.

Datimi i vendbanimit është bërë përmes metodës së radiokarbonit dhe dendrokronologjisë që analizon unazat vjetore të rritjes së drunjve. Deri tani janë mbledhur mbi 1,000 mostra druri nga vendi i gërmimit, që mendohet të ketë strehuar qindra banorë dhe të shtrihej në një sipërfaqe prej rreth gjashtë hektarësh. Megjithatë, pas gjashtë vitesh punë, është eksploruar vetëm rreth 1% e zonës.

Sipas Hafner, njerëzit që jetonin në këtë vend kanë ndihmuar në përhapjen e bujqësisë dhe blegtorisë në pjesë të tjera të Evropës.

“Ata ende merreshin me gjueti dhe mbledhje, por baza kryesore e ushqimit vinte nga bujqësia,” sqaroi ai.

Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi vlerëson se eksplorimi i plotë i zonës mund të zgjasë dekada.

“Sipas mënyrës si kanë jetuar, si janë ushqyer, si kanë ndërtuar dhe si e kanë përdorur arkitekturën, mund të thuhet se kanë qenë shumë të zgjuar për kohën e tyre,” thekson Anastasi. /AutoPortali

TË FUNDIT