Piloti estonez Ott Tanak ka deklaruar se “pak a shumë e di” se çfarë do të bëjë në vitin 2026, ndërsa spekulimet për të ardhmen e tij te Hyundai vazhdojnë. Kampioni i botës i vitit 2019 ende nuk ka njoftuar planin e tij, por qëndrimi me ekipin korean shihet si opsioni më realist në kategorinë Rally1.
Hyundai dëshiron që Tanak të mbetet pjesë e skuadrës së saj me Thierry Neuville dhe Adrien Fourmaux, të cilët pritet të rinovojnë kontratat. Këtë sezon, estonezi ka qenë lideri i ekipit, me një fitore në 12 gara, në Rally-n e Greqisë, ndërsa ndodhet 50 pikë pas Elfyn Evans të Toyota-s, me dy gara të mbetura.
Në Rally Japan, Tänak tha për Motorsport.com: “Ne pak a shumë e dimë çfarë do të bëjmë, por varet nga ekipi kur do ta njoftojë”.
Ai mirëpriti gjithashtu zgjerimin e departamentit teknik të Hyundai-t me Sebastien Metz dhe Massimo Carriero, të cilët do të marrin pozicione kyçe në inxhinieri dhe operacione.

Ndërkohë, drejtori sportiv i ri i Hyundai-t, Andrew Wheatley, konfirmoi se negociatat me Tänakun vazhdojnë: “Vendimi është në duart e tij. Ai po balancon jetën familjare dhe dëshirën për të fituar, por ne do të donim shumë ta kishim sërish në ekip”.




