Për një moment, në Shangai u rikthye “fryma” e Michael Schumacher. Ishin vetëm disa minuta në podium, por për shumë tifozë të Formula 1 dukej si një udhëtim në kohë: himnet gjermane dhe italiane u dëgjuan sërish pas një gare.
Andrea Kimi Antonelli fitoi Çmimin e Madh të Kinës me Mercedes, duke arritur fitoren e tij të parë në Formula 1. Ky moment historik kujtoi epokën kur Schumacher dhe Ferrari dominonin, kur pas çdo fitoreje dëgjoheshin po këto dy himne.
Schumacher fitoi 72 gara me Ferrari dhe çdo herë shoqërohej nga kombinimi i himnit gjerman dhe atij italian. Herën e fundit që ndodhi kjo ishte më 1 tetor 2006, pikërisht në Kinë, fitorja e fundit e legjendës gjermane.
Tani, gati 20 vite më vonë, këtë ndjesi e riktheu një 19-vjeçar. Antonelli, një nga talentet më të mëdha të Formula 1, shpërtheu në emocione pas fitores së tij, duke treguar sa shumë do të thotë ky sukses për të.
)
Italiani i ri po shkruan historinë me Mercedes, në një mënyrë që kujton kohën kur Schumacher bënte të njëjtën gjë me Ferrari. Shumëkush beson se kjo mund të jetë fillimi i një epoke të re.
Antonelli u bë gjithashtu italiani i parë që fiton një garë në Formula 1 që nga viti 2006, kur Giancarlo Fisichella triumfoi në Malajzi.
Pas dy garash, George Russell kryeson kampionatin me 51 pikë, i ndjekur nga Antonelli me 47. Më pas vijnë Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton, ndërsa gara e radhës zhvillohet në Japoni më 29 mars.



