Një parakalim i rrezikshëm në aksin rrugor Korçë–Pogradec ka çuar në identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të automjetit, falë një videoje të publikuar në rrjetin social “Aksidente Rrugore”.
Pas verifikimeve të kryera nga Policia Rrugore e Korçës, u konstatua se automjeti kishte kryer një parakalim të gabuar, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik, shkruan AutoPortali.
Sipas autoriteteve, drejtuesi i mjetit është identifikuar si shtetasi G. M., banues në Devoll. Në përputhje me nenin 141, pika 10 dhe nenin 127, pika 1 të Kodit Rrugor, ai është ndëshkuar me një gjobë prej 12,000 lekësh, ndërsa nga leja e drejtimit i janë zbritur 10 pikë.
Policia ka falënderuar qytetarët dhe median për bashkëpunimin në evidentimin e rasteve të shkeljeve rrugore dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vijojnë të denoncojnë raste të ngjashme.
“Reagimi ynë do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje me ligjin,” thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.