Parkimet në trotuare dhe rrugë në Tiranë, procedohen 24 qytetarë
P

Parkimet në trotuare dhe rrugë në Tiranë, procedohen 24 qytetarë

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në terren, me qëllim disiplinimin e qarkullimit dhe ndëshkimin e parkimeve të paligjshme që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve në kryeqytet.

Si rezultat i aksioneve të fundit, janë proceduar penalisht 24 drejtues automjetesh, të cilët kishin parkuar në mënyrë të parregullt, duke bllokuar qarkullimin në rrugë publike.

Të gjitha mjetet e konstatuara janë larguar nga terreni me mjet ngritës, sipas procedurave ligjore, shkruan AutoPortali.

Sipas njoftimit të Policisë Rrugore në Tiranë, ndaj shtetasve të identifikuar është ngritur procedim penal në bazë të nenit 293 të Kodit Penal, që parashikon masa për pengim të qarkullimit në rrugë publike.

Në listën e të proceduarve përfshihen persona nga mosha 23 deri në 65 vjeç, me vendbanim në zona të ndryshme të Tiranës.

Policia Rrugore ka theksuar se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit, me fokus kryesor respektimin e rregullave të qarkullimit dhe garantimin e sigurisë në hapësirat publike.

“Respektoni rregullat – rruga është për të gjithë”, është mesazhi i përsëritur nga Policia e Tiranës në thirrjen drejtuar drejtuesve të mjeteve.

TË FUNDIT