Përballja e madhe Anthony Joshua- Jake Paul do të zhvillohet në dhjetor të këtij viti
P

Përballja e madhe Anthony Joshua- Jake Paul do të zhvillohet në dhjetor të këtij viti

Një përballje e shumëpritur pritet të zhvillohet në fund të këtij viti, pasi Anthony Joshua dhe Jake Paul janë në fazat përfundimtare të negociatave për një ndeshje në peshat e rënda, e cila planifikohet të mbahet në Miami, gjatë muajit dhjetor.

Sipas raportimeve të “Daily Mail Sport”, në diskutim janë datat 12 ose 19 dhjetor, ndërsa përballja do të transmetohet në platformën Netflix, duke ndjekur formatin e ngjashëm me ndeshjen e planifikuar më parë midis Paul dhe Gervonta Davis, e cila u anulua.

Pas dështimit të asaj sfide, për shkak të akuzave për dhunë në familje ndaj Davis, Jake Paul ka zhvendosur fokusin drejt Joshua-s.

Promotori britanik Eddie Hearn ka konfirmuar se vendimi për kundërshtarin e ardhshëm të Joshua-s do të merret brenda javës, duke shtuar kështu gjasat që dueli me Paul të bëhet realitet.

Përballja pritet të ketë karakter demonstrativ, për shkak të diferencës së madhe fizike midis dy boksierëve, Paul peshon rreth 200 paund (rreth 91 kg), ndërsa Joshua afro 250 paund (rreth 113 kg).

Nëse ndeshja zyrtarizohet, ajo do të jetë një nga ngjarjet më të mëdha të fundvitit në botën e boksit, duke vënë përballë një ish-kampion bote dhe një influencer të kthyer në boksier profesionist, një kombinim që pritet të tërheqë vëmendje të jashtëzakonshme nga publiku sportiv dhe mediat botërore.

TË FUNDIT