Vendimi për të qenë në ulësen “e dytë” të Red Bull është një nga më të lakmuarit, por edhe më të frikshmit në Formula 1. Të ndash garazhin me Max Verstappenin mund të jetë po aq përfitim sa edhe mallkim. Përveç Carlos Sainzit te Toro Roso (tani Racing Bulls), me të cilin Verstappen pati një rivalitet të fortë gjatë sezonit të tyre debutues, katër here kampioni i botës ka dalë fitimtar kundër të gjithë shokëve të tjerë të skuadrës në ekipin kryesor: Daniele Ricardo, Pierre Gasly, Alex Albon, Sergio Perez, Liam Lawson dhe Yuki Tsunoda.
Nga të gjithë këta, Sergio Perez ishte ai që ndau më shumë kohë me Verstappenin, nga viti 2021 deri në 2024-ën. Në 90 gara së bashku, ai arriti ta mposhtë vetëm 10 herë në duelet për “pole position” dhe 11 herë në garat për pikë, një bilanc shumë i vështirë për çdo pilot në grilë, madje edhe për Hamiltonin apo Leclercun, siç e theksoi vetë Perez. Piloti i ardhshëm i ekipit Cadillac ka dhënë këndvështrimin e tij mbi sfidën që përbën të jesh shok ekipi me “Mad Max”.

“Është një vend shumë i komplikuar. Natyrisht, të jesh në krah të Maxit është tashmë e vështirë, por të jesh në Red Bull me të është diçka që njerëzit nuk e kuptojnë plotësisht. Ka shumë gjëra që mund të t’i tregoj, por në thelb është një punë jashtëzakonisht e lodhshme për një pilot. Nuk ka pilot që mund të mbijetojë atje. Qoftë Hamilton apo Leclerc, të gjithë do të ishin të dënuar.

Nuk më pëlqen t’i kritikoj ata që janë në atë pozitë, sepse edhe unë kam qenë aty. E di saktësisht se çfarë po përjetojnë”, deklaroi Perez. Sipas pilotit meksikan, pjesa më e vështirë lidhet me mënyrën se si është e ndërtuar makina: “Për një pilot, është shumë e vështirë të duhet të mendosh vazhdimisht se si të drejtosh. Duhet të përshtatesh me stilin e drejtimit të Verstappenit. Nuk është se makina është e keqe, por balanca e saj është shumë specifike dhe nëse nuk e drejton si ai, je plotësisht i humbur”, përfundoi Perez.




