Me mbi 100 mijë turistë të mirëpritur gjatë këtij viti, Përmeti është shndërruar në një nga destinacionet më të kërkuara të jugut të Shqipërisë.
Vlerat historike e natyrore, bukuria e lumit Vjosa, ujërat termalë të Bënjës dhe gatimet tradicionale janë disa nga pikat kryesore që tërheqin vizitorët.
Sipas operatorëve turistikë lokalë, rritja e numrit të turistëve është e ndjeshme, sidomos gjatë muajve të verës.
“Turizmi është në rritje dhe përmirësim të vazhdueshëm. Gushti është veçanërisht i ngarkuar me turistë vendas, ndërsa në muajt më të freskët dominon turizmi i huaj,” – u shpreh Altin Kola, administrator i një bujtine në zonë.
Kosovarët zënë një pjesë të rëndësishme të vizitorëve, ndërsa shprehen të mahnitur nga bukuria dhe qetësia e qytetit, shkruan Euronews.
“Është një nga qytetet më të bukura në Shqipëri për gjelbërim, për lule, për pastërti dhe për qetësi. Sa herë të kem mundësi, do rikthehem në Përmet”
“Përmeti është i veçantë për natyrën dhe malet që e rrethojnë. Është vërtet një perlë,”, thonë vizitorët.
Turistët vlerësojnë gjithashtu ndryshimet pozitive që ka pësuar qyteti vitet e fundit dhe përjetimet e bukura që ofron natyra përreth.
Interesimi për të vizituar Përmetin pritet të mbetet i lartë edhe gjatë muajit shtator dhe në stinën e vjeshtës, çka ndihmon në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në rajon./AutoPortali