Disa pamje që po qarkullojnë së fundmi në rrjetet sociale kanë ndezur aludimet se Charles Leclerc dhe partnerja e tij, Alexandra Saint Mleux, mund të jenë martuar në fshehtësi.
Në videot e publikuara, piloti monegask shihet duke drejtuar një Ferrari 250 Testa Rossa, ndërsa pranë tij ndodhet Saint Mleux, e veshur me atë që duket si një fustan nusërie duke mbajtur në duar një buqetë të bardhë. Leclerc shfaqet me një kostum serioz gjithashtu, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për një ceremoni martesore sekrete.
Çifti u pa për herë të parë publikisht së bashku në korrik 2023 në Wimbledon, ndërsa në nëntor 2025 njoftuan fejesën e tyre. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, asnjëri prej tyre nuk e ka konfirmuar zyrtarisht martesën.
Nëse lajmi rezulton i vërtetë, ceremonia vjen pak para nisjes së sezonit të ri të Formula 1, me Lecklerc që pritet të udhëtojë drejt Melburnit për Australian Grand Prix, që do të zhvillohet nga 6 deri më 8 mars.
CHARLES LECLERC AND ALEXANDRA GOT MARRIED 💍❤️
— La Gazzetta Ferrari (@GazzettaFerrari) February 28, 2026
Ndërkohë, piloti i Scuderia Ferrari është shprehur i rezervuar lidhur me pritshmëritë për sezonin e ri, pas testeve parasezonale në Bahrein.
“Mendoj se është shumë herët për të thënë”, u shpreh Leclerc, duke theksuar se ekipet po mbajnë ende “të fshehta kartat e tyre”. Ai shtoi se testimet kanë qenë të qeta dhe përgatitja ka shkuar sipas planit, por performanca reale do të shihet vetëm në kualifikueset e para.



