Jack Doohan ka nxjerrë gjithë dufin e tij. Ai e bëri këtë në një episod të serialit të Netflix, Drive to Survive”, i cili zyrtarisht do të shfaqet premierë më 27 shkurt. Australiani, që këtë vit është pilot rezervë te skuadra Haas, sezonin e kaluar pilotoi makinën Alpine për gjashtë garat e para para se t’i linte vendin Franco Colapinto.
Zëvendësimi midis të dyve u zhvillua midis garës së Majemi dhe Imola, por ky ndryshim kishte kohë që përflitej, që nga fillimi i kampionatit. Asokohe ishte mjaft e qartë se shefi i ekipit Flavio Briatore favorizonte Colapinto. Gjatë garave të para, Doohan ishte vënë nën kritika nga disa mbështetës veçanërisht fansa të Colapinto.
Ato shpejt u shndërruan në urrejtje ndaj australianit. Çështja ishte raportuar edhe nga familja e Doohan, por tani ai ka zbuluar kërcënimet reale që ka marrë në atë periudhë. Piloti rrëfeu për Netflix se kishte qenë viktimë e kërcënimeve të shumta me vdekje, disa prej të cilave kishin arritur edhe në adresën e tij personale të email-it.
“Mora kërcënime serioze me vdekje”, tha Doohan, që shtoi: “Ata thanë se do të më vrisnin menjëherë nëse nuk do të largohesha nga makina Alpine. Mora gjashtë ose shtatë e-mail që më thoshin se nëse do të qëndroja në makinë deri në Majemi, do të më bënin copë-copë”.

Australiani dha prova për seriozitetin e situatës. “Ishte e mërkurë. Isha me të dashurën time dhe trajnerin tim dhe e gjeta veten të rrethuar nga tre burra të armatosur. Më duhej të telefonoja eskortën time policore për të ardhur dhe për të kontrolluar gjithçka. 99 për qind të kohës e mbajta gojën mbyllur”, përfundoi Doohan.
“Çdo gjë që them këtu në këtë dokumentar është vetëm një e treta e asaj që ka ndodhur realisht me mua. Janë gjëra mjaft të rënda. Nuk është mënyra më argëtuese për të garuar”, tha Dohan, që pas garës së zhvilluar në Majemi u zëvendësuar nga Colapinto.



