Plani i mafias që korruptoi NBA-në, si u infiltrua “La Cosa Nostra”
P

Plani i mafias që korruptoi NBA-në, si u infiltrua “La Cosa Nostra”

FBI-ja ka udhëhequr një operacion i cili kishte si fokus të godiste bastet e paligjshme sportive dhe mashtrimet ndërkohë që numri i të ndalurave ka qenë plot 31 persona.

Ky operacion kishte një impakt të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi mes të ndaluarve ishin edhe ish-sportistë dhe sportistë të njohur siç është lojtari i Miami Heat, Terry Rozier, trajneri Portland Trail Blazers, Chauncey Billups dhe ish-lojtari Damon Jones.

Ndërsa në pranga kanë përfunduar edhe anëtarë të familjeve kriminale Bonanno, Gambino, Genovese dhe Lucchese.

Shefi i FBI-së, Kash Patel, shpjegoi në një konferencë për shtyp se operacioni i basteve të paligjshme sportive dhe mashtrimeve zgjati vite dhe se çmontimi i rrjetit të paligjshëm përfshinte 11 shtete.

“Është shumë e thjeshtë. Nëse je i përfshirë në industrinë ligjore të lojërave të fatit, nuk ke pse shqetësohesh. Nëse je i përfshirë në veprimtari të paligjshme, duhet të bësh të kundërtën dhe ky rast e vërteton këtë”, tha Kash Patel.

Atletët e arrestuar akuzohen për përdorimin e teknologjisë për të grumbulluar miliona dollarë duke manipuluar lojëra pokeri të mbështetura nga “La Cosa Nostra” në zonën e Nju Jorkut.

Patel ka sqaruar se Chauncey Billups dhe Terry Rozier akuzohen për pjesëmarrje në një skemë të paligjshme bastesh sportive duke përdorur informacione të brendshme të NBA-së.

Billups gjithashtu akuzohet për pjesëmarrje në një skemë të mbështetur nga familjet mafioze për të manipuluar lojërat e fshehta të pokerit.

Ai përdorej edhe si imazh për të tërhequr personalitete të tjera publike që të luanin në tavolina, të cilat praktikisht ishin të trukura.

TË FUNDIT