Policia e Kosovës ka nisur përdorimin e radarëve mobilë për të rritur sigurinë në komunikacion, duke evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave rrugore. Vetëm gjatë një kontrolli njëorësh në rrugën Prizren–Prevallë, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor ka shqiptuar 13 gjoba për kundërvajtje, shkruan AutoPortali.
Sipas njoftimit zyrtar, 8 gjoba janë dhënë për tejkalim në vijë të plotë, ku 5 prej tyre i takonin automjeteve me targa të huaja. Ndërkohë, 5 gjoba tjera janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë në një zonë me kufizim 30 km/h.
Policia theksoi se të gjitha shkeljet janë regjistruar me video nga radari mobil, duke siguruar prova të pakontestueshme për kundërvajtësit. Autoritetet paralajmëruan se kontrollet e tilla do të zhvillohen rregullisht, veçanërisht në zonat me rrezikshmëri të lartë, dhe apeluan tek shoferët për respektim të rregullave të qarkullimit. /AutoPortali