Njësitet e Departamentit të Kufirit të Policisë së Kosovës, konkretisht Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë-Veri, kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me cigare në vlerë të përafërt prej 80 mijë euro.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua më 25 gusht në fshatin Cerajë të komunës së Leposaviqit, pas marrjes së një informacioni inteligjent dhe në kuadër të një plani taktik-operativ. Policia ka hasur në një automjet të braktisur të llojit VW Transporter me targa të Republikës së Kosovës, i cili ishte i mbushur me cigare të llojeve të ndryshme pa banderola, të dyshuara si të kontrabanduara nga territori i Serbisë.
Sasia e përgjithshme e cigareve të sekuestruara është vlerësuar në rreth 797 mijë copë, me një vlerë tregu prej rreth 80 mijë euro. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejshme nga Dogana dhe njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.