Policia e Kosovës zhvillon operacion të gjerë sigurie në Mitrovicën e Jugut, Vushtrri dhe Skenderaj
P

Policia e Kosovës zhvillon operacion të gjerë sigurie në Mitrovicën e Jugut, Vushtrri dhe Skenderaj

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një plan të veçantë operativ në rajonin e Mitrovicës së Jugut, për të forcuar masat e sigurisë dhe për të parandaluar veprimtaritë e kundërligjshme. Aksioni treditor është zhvilluar në zona të ndryshme të Mitrovicës së Jugut, Vushtrrisë dhe Skenderajt, me fokus të veçantë në orët e mbrëmjes dhe natës, ku frekuentimi i qytetarëve është më i lartë.

Në këtë operacion, që është realizuar në bashkëpunim mes hetuesve të Sektorit Rajonal, Njësisë së Reagimit të Shpejtë dhe njësive patrulluese lokale, janë kontrolluar gjithsej 150 persona dhe 140 automjete, shkruan AutoPortali.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar disa gjoba për kundërvajtje në trafik dhe është konfiskuar një armë zjarri.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke theksuar se operacione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen në funksion të parandalimit të veprimtarive të paligjshme dhe rritjes së sigurisë për të gjithë qytetarët.

TË FUNDIT