Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për sezonin turistik 2025, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë verës. Masat fokusohen në sigurinë në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore, lehtësimin e qarkullimit në pikat kufitare, parandalimin e aksidenteve dhe veprimeve kriminale, zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës, si dhe mbrojtjen e mjedisit dhe zonave turistike.

Këtë vit, shërbimi 12-orësh do të aplikohet vetëm në zonat bregdetare, ku do të mbështeten edhe policitë vendore me shërbime shtesë. Në dispozicion janë automjete dhe motomjete për reagim të shpejtë, punonjës me biçikleta për patrullim në plazhe, Njësia Policore Detare për kontrollin e lundrimeve dhe dronë për monitorimin e sigurisë dhe shkeljeve rrugore, transmeton AutoPortali.

Policia Kufitare ka rritur sportelet dhe stafin në pikat kufitare për menaxhimin e fluksit turistik, si dhe ka shtuar kontrollin në kufirin e gjelbër dhe blu për parandalimin e krimit dhe kalimeve të paligjshme. Policia Rrugore do të jetë në terren 24/7 me pajisje inteligjente, dronë dhe alkooltestues, ndërsa patrullat në zonat turistike do të punojnë për parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e qarkullimit.

Nga 16 qershori deri më 15 shtator 2025, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda në fundjavë dhe ditët e pushimit zyrtar. Policia bashkëpunon me agjencitë turistike, pushtetin vendor, vrojtuesit e plazheve, emergjencat civile dhe shëndetësore, si dhe shërbimet zjarrfikëse për zbatimin e masave.

Operacioni “Plazh i lirë” vazhdon për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara, ndërsa po ushtrohen kontrolle për respektimin e orarit të muzikës me përdorimin e aparaturave për matjen e zhurmës. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar ngritjen e grupeve monitoruese për zbatimin rigoroz të Kodit të Etikës në shërbimet policore.
Policia e Shtetit fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë paligjshmëritë në numrin pa pagesë 112.




