Skuadra e Prishtinës së Re, që sezonin 2025/26 do të debutojë në Superligën e Kosovës, ka emëruar një fytyrë të njohur të futbollit vendor në rolin e drejtorit sportiv.
Shpëtim Babaj, ish-futbollist me përvojë të gjatë në Kosovë dhe jashtë saj, do të marrë drejtimin e sektorit sportiv të klubit, duke zëvendësuar Sami Borocin, i cili u largua së fundmi nga pozita.
Babaj, një figurë e respektuar për kontributin e tij si lojtar në disa skuadra brenda dhe jashtë vendit, sjell me vete përvojë të konsiderueshme dhe njohuri të thella për futbollin.
Klubi nga Hajvalia pret që ai të luajë një rol kyç në ndërtimin e një skuadre të qëndrueshme dhe konkurruese, në përputhje me objektivat ambicioze të klubit për sezonin e ardhshëm.
Prishtina e Re, këtë vit siguroi historikisht ngjitjen në elitën e futbollit kosovar, ka nisur një fazë të re zhvillimi dhe organizimi.
Emërimi i Babajt shihet si hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një projekti afatgjatë në futbollin elitar të vendit.




