Këtë fundjavë do të nisë sezoni i ri në MotoGP, një Botëror që pritet të jetë mjaft interesant.
Gjithsej janë 22 gara, që nisin më 1 mars në Tajlandë dhe përfundojnë më 22 nëntor në Valencia (Spanjë).
Edhe këtë sezon, favorit është spanjolli Marc Marquez. Kampioni në fuqi, që garon me Ducati, tashmë i rikuperuar nga dëmtimi që pësoi sezonin e kaluar, që e la larg pistave në garat e fundit.
Rivali i tij kryesor pritet të jetë shoku i tij i skuadrës Francesco Bagnaia. Italiani vjet zhgënjeu, por këtë sezon mund të jetë më i motivuar. Por ky sezon pritet të jetë një rivalitet i fortë mes Spanjës dhe Italisë.
Spanjollët Alex Marquez, Jorge Martin e Pedro Acosta nga njëra anë si dhe italianët Marco Bezzecchi, Franco Morbidelli, Enea Bastianini në kahun tjetër, pritet t’i japin jetë një rivaliteti të fortë në pistë.

Ashtu si edhe vjet, çdo të shtunë do të zhvillohet gara sprint dhe të dielën gara “normale”, duke e bërë edhe më të fortë sfidën. Një sezon ku priten shkëndija, pasi rivaliteti do të jetë i madh deri në fund.



