Përballë sfidave tregtare në ShBA dhe Evropë, prodhuesit kinezë të automjeteve po i kthejnë sytë nga Afrika, me theks të veçantë tek makinat elektrike dhe hibride.
Markat si BYD, Chery Auto dhe Great Wall Motor (GWM) po shohin në Afrikën e Jugut një derë hyrëse drejt gjithë kontinentit.
Vetëm gjatë vitit të kaluar sipas Reuters, gati gjysma e 14 markave kineze aktive në Afrikën e Jugut kanë hyrë për herë të parë në treg. Marka të tjera si DongFeng, Leapmotor, Dayun dhe Changan pritet të bashkohen së shpejti.
Plani afatgjatë i prodhuesve përfshin hapjen e fabrikave lokale për përfitime fiskale dhe për të ulur kostot e prodhimit. Chery dhe GWM janë në fazë studimi për hapjen e linjave të montimit në Afrikën e Jugut.
Ndërkohë, rritja e kërkesës për automjete hibride është bërë evidente. Chery ka lançuar tetë modele të reja hibride, ndërsa BYD ka zgjeruar gamën me SUV dhe pickup hibride.
Megjithëse adoptimi i automjeteve elektrike është ende i ulët, drejtuesit e industrisë shpresojnë që me rritjen e pjesës së tregut të automjeteve me energji të re (EV dhe hibride), kërkesa të shpërthejë në vitet e ardhshme.
Një tjetër avantazh për prodhuesit kinezë është çmimi më i ulët krahasuar me markat tradicionale, çka mund t’i bëjë ata më konkurrues në tregjet afrikane. /AutoPortali



