Prokuroria demanton lajmin se “Albkings” është rihapur, por jo edhe gazetarja që ishte cak i grupit
P

Prokuroria demanton lajmin se “Albkings” është rihapur, por jo edhe gazetarja që ishte cak i grupit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka demantuar lajmin se është rihapur grupi denigrues ndaj femrave, “Albkings”.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë: “Ky lajm iu bëjmë me dije se i njëjti është i bazuar  në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë, për çka iu kemi njoftuar përmes konferencës së mbajtur gjatë ditës së djeshme”.

Po ashtu, përmes të njejtës komunikatë, Prokuroria siguron se në çdo kohë janë në monitorim të kësaj çështjeje dhe në qoftë se ka tendencë të hapjes së këtij grupi apo çfarëdo grupi tjetër të ngjashëm, prokuroria në koordinim me policinë do të marrë masat e nevojshme, raporton Klankosova.tv.

Por njësoj nuk ka thënë edhe gazetarja e emisionit “Kiks” në Klan Kosova, Ardiana Thaçi, e cila ishte cak i grupit famëkeq, meqë numri i saj privat i ishte shpërndarë aty.

Ajo tha për Klankosova.tv, se ka pasur telefonata mbrëmë rreth orës 20:00 dhe të njëjtat kanë vazhduar edhe disa orë më vonë. Madje pos saj, edhe shikuesit e emisionit “KIKS” në të cilin është moderatore Thaçi, kanë dërguar video që tregojnë se ky grup denigrues ishte i hapur edhe sot në orën 11:31.

“Mbrëmë rreth orës 20:00 kanë filluar sërish telefonata në drejtim të telefonit të tipit ngacmues dhe menjëherë pasi kësaj në faqen e KIKS-it disa qytetarë kanë dërguar “Screenshot-e” të asaj që numri im i telefonit është shpërndarë në faqet e tilla. Në mesin e këtyre “screenshot-eve”, ka qenë edhe një tjetër që tregon se grupi Albkings është rihapur. Sot në 11:31 shikuesit e KIKS-it e kanë dërguar edhe një video të bërë në kohë reale ku shihet se grupi Albkings është aktiv”, ka thënë Thaçi për Klankosova.tv.

 

TË FUNDIT