Francesco Bagnaia thotë se vazhdon të besojë se ai dhe Ducati mund ta kthejnë situatën, edhe pse 2025-a ishte “ndoshta viti më i keq” i karrierës së tij në MotoGP.
Në garën finale në Valencia, Bagnaia u rrëzua pas vetëm katër kthesave kur Johann Zarco e goditi dhe e largoi në zhavorr. Ishte tërheqja e tij e pestë radhazi. Ai nuk ka mbaruar një garë të së dielës që nga fitorja në Japoni në shtator.
Sezoni ishte i vështirë për të me motorin GP25, të cilin ai thotë se nuk e përshtati me stilin e tij. Pas pushimit veror forma e tij ra ndjeshëm, nuk hynte dot në Q2, dhe shpesh luftonte në fund të grupit. Si rezultat, ra nga vendi i tretë në të pestin në kampionat.
Bagnaia shpreson se testi i Valencias do t’i japë një sinjal pozitiv para pushimit dimëror: “Jam një ëndërrimtar. Dua të besoj se mund ta gjejmë zgjidhjen dhe të fillojmë 2026-n me ritëm të mirë”.

Ai pranoi se sezoni ka qenë i lodhshëm për të dhe ekipin, duke thënë se negativiteti dhe gabimet e njëpasnjëshme e kanë ndjekur në fund të vitit.
Kontrata e tij me Ducatin përfundon në vitin 2026, para epokës së re 850cc, por Bagnaia theksoi se dëshiron të vazhdojë me ekipin me të cilin fitoi titujt e viteve 2022 dhe 2023: “Dua ta mbyll karrierën me Ducatin. Ata më dhanë mundësinë dhe unë u dhashë titujt”.



