Shumë njerëz thonë se bëhen një version tjetër i vetes kur janë me pushime dhe kjo ndodh për arsye të forta. Sipas një ankete të realizuar nga kompania e sigurimeve Faye Travel Insurance me 3,000 udhëtarë amerikanë, thuajse gjysma pranojnë se zbulimi i një ambienti të ri u ndihmon të njihen më mirë me veten.
45% e të anketuarve pohojnë se gjatë udhëtimeve i japin hapësirë vetes më të guximshme dhe argëtuese.
Sjellje të papritura përfshijnë: shpenzim më të lirshëm të parave (52%), provimin e ushqimeve të panjohura (40%) dhe gatishmëri më të lartë për të marrë rreziqe (45%) përfshirë edhe ndonjë gënjeshtër të bardhë për identitetin, gjë që afro gjysma pranojnë se e kanë bërë.
Një tjetër gjetje pak befasuese: 42% bëhen më miqësorë ndoshta sepse një koktej pranë pishinës pa stres e bën të vetën, transmeton AutoPortali.
Anketa tregon gjithashtu se 40% e të anketuarve ndihen si persona krejt të ndryshëm kur udhëtojnë, ndërsa 60% besojnë se ky “alter ego” i udhëtimit është në fakt versioni më i vërtetë i tyre.
Këto “personazhe pushimesh” përfshijnë:
- Eksploruesin (19%)
- Vëzhguesin e heshtur (12%)
- Udhëtarin solo (8%)
- Të apasionuarin pas luksit (8%)
- Adhuruesin e ushqimit (8%)
Por nuk është vetëm argëtimi në lojë udhëtimi sjell edhe përfitime të mëdha për shëndetin. Një studim tregoi se ata që udhëtojnë një herë në vit për nëntë vite me radhë e rrisin jetëgjatësinë me rreth 20% dhe e ulin rrezikun për sëmundje të zemrës me 30%.
Pushimet vjetore gjithashtu ndihmojnë në uljen e tensionit të lartë, sheqerit në gjak dhe nivelit të kolesterolit të gjitha këto faktorë kyç për shëndetin e zemrës.
Edhe udhëtimet e shkurtra funksionojnë. Hulumtimet tregojnë se ata që dalin për një fundjavë të gjatë ndihen më pak të stresuar, më pak të lodhur dhe më pak të depresionuar krahasuar me ata që nuk e shfrytëzojnë lejen.
“Pushimet krijojnë një tampon ndaj stresit kronik dhe inflamacionit dy faktorë që dëmtojnë rëndë trupin,” tha profesori i shëndetit publik në Universitetin e Sirakuzës, Brooks B. Gump, për Washington Post.
Nëse prisnit një shenjë për të marrë pushim, kjo është ajo. Jepi lejen dhe nis rrugën – sepse të bën mirë. /AutoPortali



