Kroacia po përjeton një sezon turistik historik në vitin 2025, me numër rekord vizitorësh dhe netë qëndrimi, veçanërisht gjatë muajit qershor.
Sipas Ministrit kroat të Turizmit dhe Sportit, Tonçi Glavina, ardhjet e turistëve u rritën me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa numri i netëve të qëndrimit shënoi një rritje prej 19%, transmeton AutoPortali.
Në disa ditë të qershorit, ky numër u rrit deri në 25%, duke e cilësuar muajin si “fantastik” për industrinë e turizmit në vend. Pas një fillimi të dobët të vitit, ku marsi shënoi rënie prej 20%, situata u përmirësua me rritje të vizitorëve në prill dhe me këtë rikthim të fuqishëm në qershor.
Por, ndërsa shifrat zyrtare festohen, një sfidë tjetër po del në pah: rritja e kostos së jetesës. Një analizë e publikuar nga RTL Direkt tregon se çmimet e produkteve bazike të higjienës dhe amvisërisë janë rritur me 10.38% në disa pjesë të Kroacisë jugore. Fshatra dhe qytete bregdetare si Tribunj, Posedarje, Pakoštane dhe Pomer, të njohura për turizmin veror, po përballen me çmime më të larta se kryeqyteti Zagreb.
Në Tribunj, për shembull, çmimi i letrës higjienike është rreth 19% më i lartë se në Zagreb. Edhe në ishullin Pašman çmimet janë rritur gati 10%, shkruan TravelAndTourWorld.
Ndërsa çmimet e ushqimeve kanë mbetur disi të qëndrueshme, është pikërisht kategoria e produkteve të pastrimit dhe higjienës ajo që ka shënuar rritjet më të mëdha. Kjo situatë po krijon vështirësi për familjet lokale dhe gjithashtu surprizon vizitorët, të cilët nuk e kanë pritur këtë valë të çmimeve të larta.
Disa turistë tashmë po përshtaten, duke sjellë me vete nga shtëpia produkte të domosdoshme si letra higjienike dhe peceta të lagështa, për të shmangur çmimet e kripura të supermarketeve lokale.
Ndërkohë, autoritetet kroate kanë filluar të aplikojnë rregulla të reja transparence për tregtarët, duke kërkuar publikimin e çmimeve për të ndihmuar konsumatorët të bëjnë krahasime më të lehta.
Nëse trendi i inflacionit nuk ndalet, shqetësimi i madh mbetet se ky faktor mund të dëmtojë përfundimisht imazhin e Kroacisë si një destinacion i përballueshëm për pushime.
Ministri Glavina ka premtuar analiza të mëtejshme dhe ndërhyrje të mundshme nëse presioni mbi çmimet vazhdon të rritet. Për momentin, Kroacia vazhdon të mbetet në krye të listës së destinacioneve më të kërkuara në Evropën Jugore, por mbetet për t’u parë nëse ky sukses turistik do të arrijë të balanzojë edhe sfidën e përballueshmërisë ekonomike. /AutoPortali



