Një tjetër hapësirë publike në vijën bregdetare të Qeparoit i është rikthyer qytetarëve pas ndërhyrjes së strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe administrimin e plazheve.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri me dije sot se “gjatë monitorimeve të kryera nga grupi i inspektimit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB), u bë i mundur lirimi i një sipërfaqeje publike plazhi të zënë në kundërshtim me rregullat, ndërsa ndaj subjektit u mor masa administrative”.
Gonxhja tha se “AKB dhe Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore (NJVV) vijojnë kontrollet në terren për garantimin e respektimit të hapësirave publike dhe standardeve të plazhit përgjatë bregdetit”.
Në zonat bregdetare të vendit këtë vit ka më shumë plazhe publike në dispozicion të pushuesve, në dallim nga vitet e kaluara. Këtë vit përveçse ka hapësira më të shtuara të plazheve publike, bashkitë bregdetare kanë siguruar edhe çadra falas për qytetarët dhe turistët e huaj që mbushin plazhet çdo ditë e çdo orë deri në perëndimin e diellit.
Monitorimet dhe inspektimet do të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit turistik për të parandaluar zaptimin e paligjshëm të hapësirave publike dhe për të garantuar respektimin e kuadrit ligjor në zonat bregdetare./ATSH/



