Portofino, një nga destinacionet më luksoze në rivierën italiane, ka vendosur rregulla të reja të rrepta për të ruajtur imazhin elitar të qytetit.
Nga 14 korriku deri më 30 shtator, bashkia ka ndaluar lypjen, konsumimin e alkoolit në publik, qëndrimin përtokë dhe ecjen zbathur ose me rroba banje në hapësirat publike.
Sipas vendimit të firmosur nga kryetari i bashkisë, Matteo Viacava, ndalohet çdo formë e lypjes – qoftë agresive apo “e butë” – në zonat më të frekuentuara si sheshi Umberto I, parkingjet publike dhe afër kishave.
Qëllimi, sipas autoriteteve lokale, është “të mbrohet thirrja turistike dhe prestigji i fshatit”, transmeton AutoPortali.
Siç shkruan BlueWin, përveç lypjes, rregullorja ndalon edhe shtrirjen përtokë apo uljen në rrugë, në stola apo mure, si dhe mbajtjen apo konsumimin e ushqimit dhe pijeve në rrugë. Ecja me gjoks të zhveshur, me rroba banje apo zbathur është po ashtu e ndaluar.
Ndalohet gjithashtu edhe krijimi i zhurmës pas mesnatës, në përpjekje për të garantuar qetësi për banorët dhe turistët me profil të lartë që frekuentojnë qytetin.
Shkelësit e këtyre rregullave do të përballen me gjoba nga 25 deri në 500 euro. /AutoPortali



