Rama: Nga liqenet alpine tek lagunat, 867 mijë vizitorë eksploruan zonat e mbrojtura në katër muaj
R

Rama: Nga liqenet alpine tek lagunat, 867 mijë vizitorë eksploruan zonat e mbrojtura në katër muaj

Zonat e mbrojtura në të gjithë vendin edhe gjatë këtij viti vijojnë të tërheqin vizitorë të shumtë me bukurinë e tyre natyrore dhe peizazhet mahnitëse.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur sot se “vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, 867 mijë vizitorë kanë eksploruar bukuritë e zonave tona të mbrojtura, 60 mijë vizitorë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, raporton ATSH, përcjell AutoPortali.

“Nga liqenet alpine te lagunat, nga pyjet shekullorë te Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë destinacioni i preferuar për dashamirësit e natyrës dhe aventurës”, tha Rama.

Turizmi natyror dhe zonat e mbrojtura janë në fokus të buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2025, me dy projekte kryesore siç është ngritja e infrastrukturës në Eko-Park Ulza dhe Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës.

Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Zonat e mbrojtura në vendin tonë datojnë në vitin 1940 me shpalljen dhe krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë (Kune-Vain-Tale) në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit në Berat.

Krijimi i një parku kombëtar është një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë tonë të përbashkët natyrore dhe kulturore.

Disa nga parqet kombëtare të Shqipërisë janë: Parku Kombëtar i Dajtit: Parku Natyror i Dajtit, Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës”, Parku Kombëtar “Thethi”, Parku Kombëtar i Lurës, Parku Kombëtar “Mali i Tomorit”, Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, Parku Kombëtar “Llogora”.

TË FUNDIT