Berati do të mirëpresë gjatë tri ditëve festivalin “Wine & Stories”, një aktivitet që promovon kulinarinë dhe traditat e qytetit të “një mbi një dritareve”.
E kthyer në një festë të përvitshme, në këtë aktivitet do të përfaqësohen kantinat më të mira nga Shqipëria, Kosova e tjerë, raporton ATSH.
Kryeministri Edi Rama ftoi sot vizitorët të bëhen pjesë e këtij festivali, i cili do të organizohet përgjatë datave 3, 4 dhe 5 tetor, përcjell AutoPortali.
“Miqtë e verës dhe muzikës i presin tri net magjike në Festivalin e Verës “Wine & Stories”, në Berat. Aty ku vera jo vetëm prodhohet, por edhe shijohet. Në 3-4-5 tetor”, u shpreh Rama.
Në datat 3, 4 dhe 5 tetor Berati do të jetë më shumë se një destinacion turistik, duke u kthyer në një përvojë, ku kultura, vera, kulinaria dhe muzika janë të gjitha në “menu” për t’u shijuar.
Ndërkohë që somelierët më me emër do të garojnë për çmimet që do të jepen gjatë kësaj feste.
Pjesë e “Wine and Stories” do të jenë edhe këngëtarët më në zë, që me interpretimet e tyre më të mira do të sjellin atmosferë festive në Berat.
Festat lokale konsiderohen si mënyrë për të promovuar traditën dhe natyrën shqiptare dhe po organizohen në qytete të ndryshme të vendit.