Projekti “Veliera” në Durrës është drejt përfundimit. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet më të fundit të veprës urbane të arkitektit të njohur italian Marco Casamonti, pjesë e planit të zhvillimit të Durrësit Turistik 2030.
Kryeministri Rama e nis postimin me një mesazh drejtuar atyre që u përpoqën për të penguar realizmin e kësaj vepre “me mendimin e kohës së madhe të çuar dëm nga gjithëfarë të varfërish nga mendtë e kokës, që nuk lanë dy gurë bashkë për ta penguar këtë vepër të bukur urbane të arkitektit të mirënjohur Marco Casamonti”, raporton ATSH, përcjell AutoPortali.
Sipas Kryeministrit, kjo vepër artistike është tanimë në detajet e fundit teknike, si një shëmbëlltyre tërheqëse e Durrësit Turistik 2030.
Projekti i Casamontit, i njohur si “Veliera”, është pjesë e planit të zhvillimit të Durrësit Turistik 2030, që synon transformimin e qytetit në një qendër moderne turistike dhe kulturore, me qëllim që ta bëjë qytetin një destinacion bashkëkohor turistik dhe një qendër të pasur kulturore.
Arkitekti i njohur Marco Casamonti ka qenë i angazhuar edhe në projekte të tjera urbane në Shqipëri, përfshirë ndërhyrje në qytetin e Tiranës dhe Vlorës.


 
                                    

