Rasti i Piastrit shkon deri në parlamentin australian
R

Rasti i Piastrit shkon deri në parlamentin australian

Polemikat për të ashtuquajturat “rregullat papaya”, normat e brendshme të McLaren që dyshohet se favorizojnë Lando Norris në dëm të Oscar Piastrit, kanë mbërritur deri në parlamentin australian. Mospërputhjet në strategjitë e garave, sidomos pas gabimit të madh të ekipit në Çmimin e Madh të Katarit që i kushtoi Piastrit fitoren, kanë nxitur debat publik.

Senatori australian Matt Canavan ngriti pyetjen në një seancë parlamentare, duke sugjeruar se McLaren-i mund të ketë paragjykime ndaj pilotit australian. Ai përmendi edhe situatën kur Norris rrezikonte pozicionin e dytë ndaj Verstappen-it, ndërsa Piastri humbi mundësinë për të fituar.

Zëvendësministri Anthony Chisholm pranoi se disa vendime të ekipit kanë qenë të debatueshme, duke theksuar zhgënjimin e tifozëve australianë. Duke qenë se Australia nuk ka pasur kampion bote në F1 që prej suksesit të Alan Jones me Williams në vitin 1981, çështja ka marrë rëndësi të veçantë.

Edhe pse Piastri mund të arrijë fitoren e tij të tetë të sezonit, titulli varet nga pozicioni i Norris-it. Ndërkohë, McLaren mohon çdo favoritizim dhe këmbëngul se nuk do të japë urdhra ekipi në finalen e Abu Dhabit.

TË FUNDIT