Real Madridi thuhet se po përgatit një ofertë të jashtëzakonshme për të transferuar yllin e Bayern Munichut, Michael Olise, gjatë afatit kalimtar veror.
Gjiganti spanjoll po planifikon të përforcojë ndjeshëm skuadrën për sezonin e ardhshëm dhe presidenti Florentino Perez raportohet se është një admirues i madh i futbollistit francez.
Sipas raportimit të gazetës së njohur gjermane “BILD”, drejtuesit e Real Madridit janë të vendosur ta sigurojnë shërbimin e Olise dhe janë të gatshëm të bëjnë një investim të madh financiar për ta realizuar këtë transferim. Raporti thekson se “Los Blancos” janë të gatshëm të ofrojnë deri në 160 milionë euro për të bindur Bayern Munichun që ta lejojë largimin e lojtarit nga “Allianz Arena”.
Megjithatë, realizimi i kësaj marrëveshjeje shihet mjaft i vështirë. Te Bayern Munichu, Olise konsiderohet një lojtar i paprekshëm dhe drejtuesit e klubit bavarez nuk kanë ndërmend ta lejojnë largimin e tij, pavarësisht ofertave të mëdha që mund të vijnë.
Përveç Real Madridit, interesim serioz për anësorin francez ka shprehur edhe Liverpooli, i cili gjithashtu raportohet se është i gatshëm të shpenzojë mbi 100 milionë euro për ta transferuar në afatin kalimtar të verës./AutoPortali



