Reali synon ta forcojë mbrojtjen, shpreh interesim për yllin e Dortmundit
R

Reali synon ta forcojë mbrojtjen, shpreh interesim për yllin e Dortmundit

Real Madrid po përgatitet për një verë të nxehtë në tregun e transferimeve, me fokus të veçantë në përforcimin e repartit defensiv.

Drejtuesit e klubit madrilen kanë nisur lëvizjet konkrete dhe tashmë duket se kanë përcaktuar objektivin kryesor për mbrojtjen.

Sipas raportimit të Diario AS, kampioni evropian nuk pritet të përballet me pengesa të mëdha në garën për transferimin e Nico Schlotterbeck, falë marrëdhënieve shumë të mira që ka me Borussia Dortmund.

Këto raporte pozitive mes dy klubeve konsiderohen një avantazh i madh për “Los Blancos” në negociata.

Mbrojtësi gjerman është identifikuar si figura ideale për të udhëhequr riorganizimin e prapavijës madrilene.

Me largimin e pritshëm të David Alaba dhe Antonio Rudiger pas përfundimit të kontratave të tyre, klubi synon të ndërtojë një bosht të ri në mbrojtje, duke investuar në lojtarë të rinj me potencial afatgjatë.

Raportohet se Schlotterbeck ka vendosur të mos nënshkruajë rinovimin e kontratës me Dortmundin, duke e parë të ardhmen e tij në një klub elitar evropian.

Aktualisht, kontrata e tij me skuadrën gjermane është e vlefshme deri në qershor të vitit 2027, çka i jep Dortmundit një pozicion të qëndrueshëm negociues, por edhe Realit kohë për të planifikuar ofertën e duhur.

Presidenti i madrilenëve, Florentino Perez, ka ndërtuar ndër vite një raport të fortë bashkëpunimi me drejtuesit e Dortmundit.

Ky bashkëpunim rezultoi vendimtar edhe në transferimin e Jude Bellingham në vitin 2023, një marrëveshje që u konsiderua si një nga goditjet më të mëdha të merkatos së asaj vere.

Po ashtu, klubi gjerman kishte informuar më herët Realin edhe për situatën e Erling Haaland kur ai kërkonte largimin nga Bundesliga, megjithatë sulmuesi norvegjez zgjodhi të transferohej te Manchester City.

Mbetet të shihet nëse këtë herë marrëdhëniet e mira mes dy klubeve do të jenë vendimtare për të sjellë Schlotterbeck në “Santiago Bernabéu” dhe për të nisur një epokë të re në mbrojtjen e Real Madridit. /AutoPortali

TË FUNDIT