Emetimet globale të dioksidit të karbonit nga sektori i energjisë arritën nivele rekord vitin e kaluar, ashtu si edhe përdorimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, ndërsa përdorimi i lëndëve djegëse fosile vazhdoi të rritet, tha të enjten një raport nga Instituti i Energjisë i shoqatës britanike të energjisë.
Të dhënat e raportit nënvizojnë sfidën për ekonominë globale për t’u larguar nga lëndët djegëse fosile në një kohë kur konflikti në Ukrainë ka devijuar rrjedhat e naftës dhe gazit nga Rusia dhe luftimet në Lindjen e Mesme ngrenë shqetësime në lidhje me sigurinë e furnizimit.
Viti i kaluar ishte më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë, me temperatura globale që tejkaluan 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale për herë të parë.
Furnizimi i përgjithshëm global me energji u rrit me 2 për qind në vitin 2024, me përdorimin e të gjitha burimeve të tij si nafta, gazi, qymyri, por edhe energjia bërthamore, hidroenergjia dhe energjia e rinovueshme në rritje, gjë që ndodhi për herë të fundit në vitin 2006, sipas raportit.
Kjo çoi në një rritje të emetimeve të dioksidit të karbonit me rreth një përqind në vitin 2024, duke thyer rekordin e vendosur një vit më parë.
Nga të gjitha lëndët djegëse fosile në botë, gazi natyror shënoi rritjen më të madhe të prodhimit prej 2.5 për qind. Qymyri, nga ana tjetër, u rrit me 1.2 për qind dhe mbetet burimi më i madh i energjisë në botë, ndërsa prodhimi i naftës u rrit me pak më pak se një për qind.
Energjia e erës dhe diellore u zgjerua me 16 për qind në vitin 2024, nëntë herë më shpejt se rritja e kërkesës së përgjithshme për energji, zbuloi raporti.
Analistët thanë se bota nuk është në rrugën e duhur për të arritur objektivin global të trefishimit të kapacitetit të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030, pavarësisht progresit rekord.
Viti i kaluar ishte një tjetër pikë kthese për energjinë globale, e nxitur nga tensionet gjeopolitike në rritje, tha Romain Debarre i firmës konsulente Kearney dhe një nga autorët e raportit.
(Konferenca) COP28 përcaktoi një vizion të guximshëm për trefishimin e burimeve të energjisë së rinovueshme në mbarë botën deri në vitin 2030, por progresi ka qenë i pabarabartë dhe pavarësisht rritjes së shpejtë që kemi parë në të gjithë botën, ne ende nuk jemi me shpejtësinë që na nevojitet, tha Wafa Jafri nga firma konsulente KPMG, e cila gjithashtu kontribuoi në raport.
COP28 ishte një konferencë e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike e mbajtur në Dubai në vitin 2023, ku vendet nënshkruan një marrëveshje për t’u larguar nga lëndët djegëse fosile në sistemet e tyre të energjisë për të arritur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050.



