Gjiganti gjerman i makinave luksoze, Porsche po përballet me një rënie dramatike të shitjeve në tregjet kyçe, veçanërisht në Kinë, ku vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025 ka shënuar një rënie prej 28%.
Rënia lidhet drejtpërdrejt me konkurrencën në rritje nga prodhuesit vendas të automjeteve luksoze dhe elektrike, si dhe me tronditjet nga tarifat tregtare të SHBA-së. Në përgjigje, kompania po përgatit një valë të re shkurtimeje për të reduktuar kostot.
Sipas një raporti të publikuar nga Bloomberg, CEO i kompanisë, Oliver Blume, ka paralajmëruar punonjësit në një memo të brendshme se negociatat për shkurtimet e reja do të nisin në gjysmën e dytë të këtij viti.
“Modeli ynë i biznesit, që na ka shërbyer me sukses për dekada të tëra, nuk funksionon më në formën aktuale,” tha Blume.
Sipas AutoBlog, kjo lëvizje vjen në një moment kur Porsche po përballet me vështirësi të mëdha në tregje të rëndësishme me uljen e kostove operacionale, transmeton AutoPortali.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, shitjet në Kinë tregu më i madh i kompanisë jashtë SHBA-së, ranë me 28%, një goditje e fortë që Porsche e lidh me konkurrencën e ashpër nga prodhuesit vendas të automjeteve luksoze dhe elektrike, si BYD.
Megjithatë, në kontrast me situatën në Azi, Porsche Cars North America njoftoi më herët këtë muaj një rekord të ri shitjesh për të njëjtën periudhë.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të 2025-ës, janë dorëzuar 38,696 automjete në shitje me pakicë, që përfaqëson një rritje prej 11.4% krahasuar me vitin e kaluar.

Presidenti dhe CEO i Porsche Cars North America, Timo Resch, tha se ky sukses i detyrohet “pasionit të klientëve tanë” dhe përvojës së shkëlqyer që ofrojnë qendrat zyrtare të Porsche.
“Pavarësisht një tregu të paqëndrueshëm, shitjet tona mbetën të forta dhe interesi për makinat tona vazhdon të rritet. Përkushtimi ynë ndaj zgjedhjes – me një përzierje makinash me djegie të brendshme, hibride dhe elektrike – po e shtyn suksesin tonë përpara,” theksoi Resch.
Ndërkohë që pjesë të industrisë globale përballen me pasiguri, Porsche po përpiqet të mbajë balancën mes sfidave dhe sukseseve të pjesshme, ndërsa përgatitet për fazën e radhës të transformimit të brendshëm. /AutoPortali



