Me ardhjen e sezonit veror dhe kthimin e mijëra bashkatdhetarëve në atdhe, Policia e Kosovës ka nisur një fushatë vetëdijësuese për sigurinë rrugore, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave në trafik.
“Bashkatdhetarë të dashur, mirë se erdhët në vendin tuaj!” – është mesazhi që u drejtohet bashkatdhetarëve nga diaspora, të cilët po rikthehen për të kaluar pushimet me familjet e tyre, shkruan AutoPortali.
Por krahas mikpritjes, Policia apelon për kujdes dhe përgjegjësi në komunikacion, duke rikujtuar se çdo veprim, qoftë shpejtësia, mosvendosja e rripit të sigurisë apo përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, mund të sjellë pasoja fatale.
Policia thekson se është e pranishme në terren, jo vetëm për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, por edhe për të mirëpritur dhe mbrojtur të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Të gjithë qytetarët, përfshirë bashkatdhetarët, inkurajohen të vizitojnë faqen zyrtare të Policisë së Kosovës – www.kosovopolice.com – për të lexuar informacionin më të fundit ligjor, këshilla praktike për ngasje të sigurt dhe mënyrat e kontaktimit të policisë në rast nevoje. /AutoPortali




