Rikthimi i Camaro-s varet nga një “formulë magjike”
R

Rikthimi i Camaro-s varet nga një “formulë magjike”

Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit që kur modeli i fundit Chevrolet Camaro doli nga linja e prodhimit në dhjetor 2023, fati i këtij muscle car legjendar mbetet ende i paqartë.

Në atë kohë, nënkryetari global i Chevrolet, Scott Bell, kishte lënë të kuptohej se historia e Camaro-s nuk kishte marrë fund: “Edhe pse sot nuk po shpallim një pasardhës të menjëhershëm, mos kini dyshim kjo nuk është fundi i historisë së Camaro-s.”

Sot jemi në korrik të vitit 2025 dhe ende nuk ka asnjë shenjë të një Camaro të gjeneratës së shtatë.

Motor1 shkruan se presidenti i General Motors, Mark Reuss, ka dhënë së fundmi disa sinjale për të ardhmen e mundshme të këtij modeli. Në një intervistë për The Detroit News, ai deklaroi se një rikthim i Camaro-s do të varej nga disa faktorë kyç:

“Mendoj se ajo formulë e bukurisë me pak funksionalitet dhe shumë argëtim është thelbësore. Nëse do të riktheheshim te Camaro, kjo pjesë do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Besoj se është një formulë e shkëlqyer, dhe ne kemi mundësinë për ta realizuar.”

Por Reuss vuri në dukje edhe sfidat e mëdha. “Segmenti është në rënie,” tha ai, duke përmendur faktin se Ford Mustang u tejkalua nga versioni elektrik Mach-E në vitin 2024 – ku u shitën 51,745 njësi të Mach-E-së, krahasuar me 44,003 Mustang me motorë klasikë.

Gjithsesi, në gjysmën e parë të vitit 2025, Mustang-u me djegie të brendshme është rikthyer përkohësisht në krye me 23,551 njësi, kundrejt 21,785 Mach-E-ve të shitura, transmeton AutoPortali. 

Në fillim të këtij viti, një raport tregonte se GM kishte refuzuar një propozim për rikthimin e Camaro-s për shkak të mungesës së një plani të fortë biznesi. Pavarësisht pasionit të adhuruesve të makinave sportive, tregu për këtë lloj automjeti po tkurret. Mustang-i ka pësuar një rënie prej 14.2% në periudhën janar–qershor, pasi kishte rënë me 9.5% edhe në vitin 2024.

Një ndër arsyet kryesore është çmimi i lartë: modeli bazë i Mustang-it kushton 33,610 dollarë – më pak se mesatarja prej 48,799 dollarësh për një makinë të re në maj 2025 (sipas Kelley Blue Book), por gjithsesi e shtrenjtë për një makinë që zakonisht përdoret vetëm për fundjavë. Camaro-ja 2024, para se të largohej nga tregu, kishte një çmim fillestar prej 32,495 dollarësh.

Nëse Camaro do të rikthehej, gjasat janë që ajo të kishte motora me djegie të brendshme. Chevy ka mësuar nga përvoja me Corvette-in, që nuk ka pasur interes të mjaftueshëm në versionin elektrik. Shefi inxhinier i Corvette-it, Tony Roma, e tha troç: “Askush nuk e do atë.” Gjasa është që e njëjta gjë do të ndodhte edhe me një Camaro EV.

Ndërkohë, konkurrenti nga Stellantis, Dodge, po përpiqet të kapërcejë vështirësitë me versionin elektrik të Charger-it, duke ofruar zbritje që në fillim. Por shpresat janë për rikthimin e fuqisë klasike me modelin Sixpack që vjen këtë vit me një motor të ri 3.0-litërsh me dy turbo.

Madje qarkullojnë zëra se Hemi V8 mund të rikthehet në fund të 2026-ës – një sinjal që amerikanët nuk janë gati të ndahen nga motorët e fuqishëm, sidomos kur bëhet fjalë për makinat sportive. /AutoPortali

TË FUNDIT