Pilotët e Formula 1 kanë lavdëruar kampionin e ri botëror, Lando Norris të McLaren-it.
Deklarata që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte ajo e Carlos Sainz nga Williams, i cili tha se britaniku ka dëshmuar se titulli mund të fitohet edhe kur je “djalë i mirë”, dhe jo domosdoshmërisht “i ashpër dhe i rrezikshëm”.
Norris të dielën fitoi titullin e tij të parë të Kampionatit Botëror të Formula 1, pasi u rendit i treti në garën e fundit të sezonit për Çmimin e Madh të Abu Dhabit.
Piloti britanik e përfundoi sezonin me dy pikë më shumë se kampioni i katërfishtë radhazi, Max Verstappen i Red Bull-it, i cili triumfoi në Abu Dhabi.
Sainz ka qenë shoku i parë i skuadrës për Norris, kur britaniku erdhi në McLaren si 19-vjeçar. Dyshja garoi bashkë për ekipin në vitet 2019 dhe 2020 dhe krijuan miqësi të fortë edhe jashtë pistës.

Sainz tha për Sky:
“Jam shumë i lumtur për të si pilot, sepse ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i shpejtë, më i shpejtë se ç’e pranonin njerëzit dhe jashtëzakonisht i talentuar. Në vitet e para në McLaren, pashë një djalosh që kishte shpejtësinë për të qenë shumëfish kampion bote, nëse gjithçka do të varej nga shpejtësia. Ai ka zhvilluar shumë aftësitë e tij, dhe tani është kampion bote”.
“Ajo që më gëzon edhe më shumë është fakti se ai si person nuk i ndjek stereotipet e kampionëve të botës. Ka mbetur gjithmonë vetvetja, shumë i sinqertë, i hapur për problemet e tij, dhe u ka dëshmuar të gjithëve se mund të jesh kampion bote edhe nëse je një djalë i mirë, nuk ke pse të jesh i ashpër apo i rrezikshëm”, shtoi spanjolli.
Sainz shpreson që Norris, tashmë 26 vjeç, të mos ndryshojë.
“Jam i lumtur për të, shpresoj të mbetet i njëjti, të mos i hipë në kokë fakti që është kampion bote dhe të vazhdojë të jetë vetja. Madje, shpresoj që të mund të relaksohet edhe më shumë dhe të shijojë më tepër Formula 1”, tha Sainz.
Norris është bërë piloti i 11-të britanik kampion bote në Formula 1 dhe i pari për McLaren që nga titulli i parë i Lewis Hamilton në vitin 2008.

Hamilton, shtatë herë kampion bote, rekordmen me 105 fitore dhe 104 pole position, u shpreh:
“Jam vërtet shumë i lumtur për të. Titulli i parë është gjithmonë i veçantë. Britania vazhdon të prodhojë pilotë të shkëlqyer. E di si është ndjenja kur hyn në garën e fundit duke luftuar për titullin tënd të parë, është jashtëzakonisht e tensionuar”.

Norris luftoi për titull me Verstappen-in, i cili e uroi për suksesin:
“Ai pati një sezon shumë të mirë. Në thelb ishte një betejë e fortë mes tij dhe Oscar Piastri-t, dhe në një moment iu bashkova edhe unë garës. Titulli i parë është gjithmonë shumë emocional, shumë i veçantë, sepse të gjithë ëndërrojnë për atë moment. Shpresoj ta festojë me familjen dhe natyrisht me ekipin”, tha Verstappen.



